Halil Habilaj
Halil Habilaj lindi në fshatin Kallarat në vitin 1901 dhe ra dëshmor më 20 janar 1944. Lilo ishte një djalë i zoti dhe shumë i shkathët. Në rininë e tij u martua me Shazen, një vajzë nga fshati fqinj Bolena. Më vonë, u larguan familjarisht në qytetin e Korçës, ku Lilua shërbeu në radhët e xhandarmërisë si nënoficer, me gradën e kapterit. Në Korçë qëndruan për shumë vite dhe sollën në jetë katër fëmijë.[1]
Që prej vitit 1939, me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, Lilo ra në kontakt me njerëz që përkrahnin idetë komuniste të kohës. Ai u lidh ngushtë me ta, duke bashkëpunuar fshehurazi dhe, më pas, u përfshi në lëvizjen ilegale të qytetit të Korçës. Kontributi i tij u dha kryesisht në aktet e sabotazhit të organizuara në qytet. Ndihmoi të burgosurit politikë me ushqime dhe mori pjesë në arratisjen e katër të dënuarve politikë nga burgu. Pas këtij akti, u detyrua të largohej edhe vetë, duke vënë në rrezik të madh familjen e tij — gruan dhe fëmijët — përballë forcave italiane që qëndronin në qytet, pasi ai ende punonte në xhandarmërinë e Korçës.
Për këtë arsye, në qershor të vitit 1942, Lilo u arratis nga qyteti dhe iu bashkua çetave të vogla partizane, të sapokrijuara në krahinën e Gorë-Oparit. Në pranverën e vitit 1943, ai luftonte në zonën e Leskovikut, në radhët e çetave partizane të qarkut të Korçës, me detyrën e komandantit të togës. Gjatë një përleshjeje u plagos në këmbë, por pa rrezik për jetën.
Kur filloi operacioni gjerman i dimrit 1943–1944, i cili përfshinte edhe zonën e Korçës, Lilo Habilaj luftonte si partizan në Brigadën IV Sulmuese. Ashtu si në shumë beteja të kësaj periudhe, luftimet ishin të pabarabarta midis forcave gjermane dhe partizane, por gjithmonë zhvilloheshin me zemër dhe vetëmohim. Gjatë një prej këtyre betejave, duke luftuar me trimëri kundër trupave të ushtrisë gjermane, Lilo Habilaj ra dëshmor në Protopapë të Oparit, më 20 janar 1944.
Pas çlirimit të vendit, më 7 korrik 1973, Halil Dine Habilaj u shpall "Dëshmor i Atdheut". Kuvendi Popullor e dekoroi me “Medaljen e Trimërisë” për kontributin e tij në çlirimin e atdheut.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Pak nga jeta e deshmorit Halil Dine Habilaj (1918–1944) – Kallarati.com". Marrë më 2025-05-08.